Ndërlidhjet

Protesta "të papara" në Armeni


Armeni: Protestuesit bllokojnë rrugët
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:51 0:00

Armeni: Protestuesit bllokojnë rrugët

Udhëheqësi i opozitës në Armeni, Nikol Pashinian, tha se demonstratat dhe grevat në këtë vend janë "të papara" në pjesëmarrje.

Në një transmetim të drejtpërdrejtë në Facebook, ai tha se "asnjë rrugë nuk ka mbetur e hapur" në Jerevan dhe qytete të tjera, pasi mijëra njerëz i janë përgjigjur thirrjes së tij për grevë të përgjithshme dhe mosbindje civile.

Thirrja u bë pasi Parlamenti armen votoi kundër zgjedhjes së Pashinianit kryeministër, më 1 maj.

Pashinian kërkoi që të përfundojë bllokada e autostradave të mëdha dhe rrugëve të tjera, pasditen e së mërkurës, ndërsa u bëri thirrje mbështetësve të mblidhen në Sheshin e Republikës në Jerevan.

Pashinian kërkoi nga qeveria të mos i përfshijë trupat ushtarake për zgjidhjen e krizës, ndërsa u kërkoi mbështetësve të jenë paqësorë.

"Jo përleshje, jo agresion. Të gjithë e dimë se ky proces do të përfundojë me fitore de jure. Të gjitha veprimet tona duhet të jenë paqësore", tha Pashinian në një transmetim të drejtpërdrejtë në faqen e tij në Facebook.

"Synimi më i rëndësishëm është arritur, është përmbushur. Tani kemi qytetarë të vendosur të Armenisë që nuk do të lejojnë asnjë qeveri, asnjë pushtet të jetë i korruptuar, i pandershëm dhe kundër popullit", tha Pashinian.

Ai po ashtu kërkoi nga protestuesit që të mos i bllokojnë rrugët për furnizimin e ushtrisë dhe dy rrugët strategjike që lidhin Armeninë me Nagorno Karabakun.

Më 1 maj, ligjvënësit armenë votuan kundër zgjedhjes së Pashinianit kryeministër, me 55 vota kundër dhe 45 për.

Sipas Kushtetutës së Armenisë, dështimi i Parlamentit për të konfirmuar kryeministrin çon në votimin e dytë, që në këtë rast do të mbahet më 8 maj.

Në përgjigje të votimit më 1 maj, Pashinian u bëri thirrje qytetarëve në gjithë vendin që t’i bashkohen grevës së përgjithshme të mërkurën, në mbështetje të kërkesës së opozitës që ai të zgjidhet kryeministër.

Duke folur para mijëra mbështetësve që u mblodhën të martën në Sheshin e Republikës në Jerevan, Pashinian tha se të gjithë punëtorët duhet të ndalojnë të shkojnë në punë dhe të gjithë studentët të mos i ndjekin orët, nisur nga 2 maji.

Në fjalimin e tij përpara Kuvendit, Pashinian tha se Partia Republikane, që aktualisht është në pushtet, e ka shkatërruar veten në mënyrë të pakthyeshme, “duke shpallur luftë kundër popullit të vet dhe duke refuzuar ta mbështesë kandidaturën e tij”.

Nëse Parlamenti nuk arrin as më 8 maj të konfirmojë kryeministrin, legjislatura do të shpërbëhet automatikisht dhe do të caktohen zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, ndërsa një qeveri teknike, e udhëhequr nga Partia Republikane, do të jetë përgjegjëse për procesin zgjedhor.

Pashinian këmbëngul se vetëm një qeveri e përkohshme e udhëhequr nga, siç thotë, “kandidati i popullit”, pra ai vetë, mund të organizojë zgjedhje të lira, të drejta dhe transparente.

Pashinian ka udhëhequr protesta për ditë të tëra, duke detyruar kryeministrin Serzh Sarkisian të japë dorëheqje.

Të martën, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u bëri thirrje të gjitha forcave politike në Armeni që “të angazhohen në dialog gjithëpërfshirës përpara rrethit të dytë të votimit më 8 maj”.

Mogherini tha se Bashkimi Evropian e mbështet Armeninë në përpjekjet e saj për të ndërtuar një shoqëri të begatë dhe demokratike”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG