Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Thaçi thotë se po përgatitet faza e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë


Presidenti Hashim Thaçi

Kosova dhe Serbia nuk mund të mbesin pengje të së kaluarës dhe se të dyja vendet duhet të lëvizin përpara në agjendën evropiane, deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Samiti i Sofjes.

Gjatë një konference për media, Thaçi tha se në Sofje ka zhvilluar takime të rëndësishme si me liderët e vendeve të rajonit, ashtu edhe me ata të vendeve të Bashkimit Evropian.

Ai përmendi se nga këto takime ka marrë mbështetje nga liderët evropianë, duke veçuar edhe takimin që ai ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të iniciuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Ai tha se bashkë me presidentin e Serbisë ka marrë mesazhin e politikës evropiane se pa një fqinjësi të mirë ndërmjet dy shteteve, nuk mund të ketë lëvizje përpara, sidomos drejt Bashkimit Evropian.

"Ne nuk mund të mbesim peng i së kaluarës e as i opinioneve ngufatëse për të lëvizur më shpejt në perspektiven evropiane. Ne duhet të mendojmë për të sotmen dhe të ardhmen. Jemi zotuar para Përfaqësueses së Lartë të BE-së Federica Mogherini, dhe më pas edhe para kancelares gjermane, Angela Merkel, që të dyja vendet të punojmë me përgjegjësi për ta përmbyllur këtë proces të dialogut me një marrëveshje historike, ligjërisht obligative për të dyja vendet, e që do të nënkupton anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe njohjet reciproke", theksoi Thaçi.

Ai para gazetarëve përsëriti se në fazën finale të dialogut me Serbinë, do të nevojitet që Kosova të ketë një unitet të forcave politike e institucionale.

"Gjithashtu, një nga konkluzionet më të rëndësishme apo edhe qëndrim, mund të themi lirisht që na është dhënë në në Samitin e Sofjes nga liderët e BE-së, është se pa fqinjësi të mirë asnjë vend i rajonit të Ballkanit nuk ka perspektivë evropian", tha Thaçi.

Ai theksoi se për procesin e dialogut, që sipas tij, do të vazhdojë shpejt është duke u konsultuar me të gjitha subjektet politike, duke përfshirë edhe ato të opozitës.

"Dialogu me Serbinë nuk është proces i një individi apo partie politike, është proces i vështirë e nuk do të jetë i lehtë, as për ne, as për Serbinë", u shpreh Thaçi.

XS
SM
MD
LG