Ndërlidhjet

Bisedimet për paqe në Ukrainë rinisin më 11 qershor


Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

Të dërguarit e Gjermanisë, Francës, Ukrainës dhe Rusisë do të mblidhen në Berlin më 11 qershor, në përpjekje për të rinisur procesin e paqes në lindje të Ukrainës, tha ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

“Gjatë javëve të kaluara, në bisedimet tona me ministrat e Jashtëm të Ukrainës, Francës dhe Rusisë, kemi synuar të organizojmë një takim të ri”, tha Maas gjatë vizitës në qytetin Mariupol në lindje të Ukrainës.

Maas tha se është i kënaqur që ministrat e Jashtëm të katër vendeve do të mblidhen “për të diskutuar të ardhmen e zhvillimeve në Ukrainë”.

Ai i bëri këto komente në kohën kur kanë ngecur përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit midis forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë.

Ky konflikt, që ka nisur qysh në vitin 2014, ka lënë mbi 10,000 njerëz të vrarë.

Udhëheqësit e Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë kanë negociuar një paketë masash në shkurt të vitit 2015 në Minsk, për t'i dhënë fund konfliktit, por, që atëherë, Kievi dhe separatistët kanë akuzuar vazhdimisht njëri-tjetrën për shkeljen e tyre.

XS
SM
MD
LG