Ndërlidhjet

Qeveria tërheq nga Kuvendi platformën për bisedimet me Serbinë


Ilustrim.

Me kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Qeveria e Kosovës, ka tërhequr nga seanca e Kuvendit, platformën për bisedime me Serbinë, e cila ishte paraparë të diskutohej si një nga pikat e rendit të ditës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në emër të Qeverisë, ka parashtruar kërkesën për ta hequr nga rendi i ditës platformën për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, projekt-platforma në fjalë kërkon debate e diskutime të brendshme politike për konsensus, para se të shqyrtohet për miratim në Kuvend.

“Në emër të kryeministrit Ramush Haradinaj, me mirëkuptim kërkoj të tërhiqet lënda projekt-platforma për finalizimin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve e proceduar në Kuvend me 23 prill 2018”, tha Reçica.

“Ky veprim bëhet në mënyrë që t’i japim kohë ndërtimit të një konsensusi sa më të gjerë nacional dhe vazhdimit të konsultimeve të mëtutjeshme", tha ai.

Subjekti më i madh opozitar në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës me anë të një komunikatë për media, një ditë më parë ka bërë të ditur se nuk do ta përkrahë platformën për dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë.

"Platforma për dialog, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është dokument i përgatitur dobët, joserioz dhe me pretendime jokushtetuese", ka thënë Grupi Parlamentar i LDK-së.

XS
SM
MD
LG