Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Zhduket në Serbi gazetari Stefan Cvetkoviq


Ilustrim.

Gazetari serb, Stefan Cvetkoviq nga Bela Crkva është zhdukur mbrëmjen e kaluar, kanë bërë të ditur disa burime të agjencisë së lajmeve Beta.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, ka bërë të ditur se policia gjatë natës ka gjetur veturën e parkuar e cila mendohet të jetë e gazetarit Cvetkoviq.

Më pas kanë filluar edhe kërkimet për të.

“Në stacionin policor është bërë e ditur që në rrugën e Beogradit në Bela Crkva është gjetur një veturë e parkuar e tipit “Polo” e cila kishte të hapur derën nga ana e vozitësit si dhe dritën e ndezur brenda në veturë. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku më pas është konstatuar se vetura i përket gazetarit Cvetkoviq, e cila në fakt është në pronësi të babait të tij”, bëhet e ditur në deklaratën e ministrisë së Punëve të Brendshme të Qeverisë së Serbisë.

Dëshmitarët okularë kanë thënë se vetura kishte dyert e hapura si dhe afër saj është gjetur një orë dore e cila kishte rripin e këputur.

Cvetkoviq viteve të fundit në disa raste është ankuar për kërcënime nga njerëz të ndryshëm.

Më 19 maj të këtij viti, ai u ka thënë mediave se është mbajtur për gjashtë orë në vendkalimin kufitar në Jarinjë.

Ai ka thënë se pas kësaj ka marrë një dokument nga Policia e Kosovës, me të cilin konfirmohet se me urdhër të Prokurorit Special, i cili udhëheq hetimet për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, është mbajtur në stacionin policor në afërsi të Jarinjës, për t’u marrë në pyetje.

Cvetkoviq atëbotë ka thënë se ka shkuar në Kosovë si gazetar sepse është shprehur se ai ka shkruar në hetimet e vrasjes së Ivanoviqit.

“Nuk kanë pasur mënyrë tjetër për të arritur tek unë, sepse e kanë vënë re se kam rënë në kontakt me disa njerëz, të cilët kanë qenë interesant për hetime”, i ka thënë gazetari agjencisë Beta, pasi është liruar.

Në muajin shkurt ai ka mbajtur konferencë për gazetarë në Beograd me titullin “Sa kushton likuidimi në veri të Kosovës?”

Në atë rast ai ka treguar edhe fotografi të njerëzve, që thuhet se kanë qenë të përzier në likuidimin e Oliver Ivanoviqit dhe ka përçuar pretendimet se ky atentat është paguar 40,000 euro.

XS
SM
MD
LG