Ndërlidhjet

Komisioni hetimor pritet të japë epilogun për dëbimin e shtetasve turq


Familjarë të shtetasve të dëbuar turq...
Familjarë të shtetasve të dëbuar turq...

Komisioni hetimor parlamentar do të thotë fjalën e fundit lidhur me dëbimin e shtetasve turq, duke sqaruar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Kështu bëri të ditur zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Inteligjencës, Ganimete Musliu, pas takimit ku raportoi drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shpend Maxhuni.

“Ditëve të fundit është themeluar një komision parlamentar hetimor dhe deri në epilogun që do të japë ai komision, nuk mund të themi asgjë. Epilogun përfundimtar do ta thotë ky komision, i cili e ka marrë aprovimin e Kuvendit për të hulumtuar këtë rast në detaje”, tha Musliu.

Kuvendi i Kosovës, më 17 prill, ka miratuar një rezolutë për themelimin e një komisioni hetimor, lidhur me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova.

Më 29 mars, me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës ka arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë mjek.

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shpend Maxhuni, raportoi të hënën para Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e këtij mekanizimi.

Musliu tha se gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për gjendjen e sigurisë në Kosovë, e cila është vlerësuar të jetë e qetë dhe stabile.

XS
SM
MD
LG