Ndërlidhjet

Më shumë se 70 përqind e maturantëve kalojnë provimin e Maturës Shtetërore


Ilustrim
Ilustrim

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, ka publikuar rezultatet e testit të Maturës Shtetërore 2018. Sipas këtyre rezultateve, provimin e kanë kaluar 73.3 përqind e maturantëve.

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqri Bytyqi, ka bërë të ditur gjatë një konference për media se rezultatet e testit janë reale.

“Synimi jonë në këtë test të maturës ka qenë që të japë rezultate të sakta, në mënyrë që nga kjo bazë reale të shohim se çfarë është e nevojshme të bëhet në shkolla për ngritjen e cilësisë në arsim”, theksoi Bytyqi.

Ai ka bërë të ditur se për shkak të shkeljeve që janë konstatuar gjatë mbajtjes së testit të maturës janë anuluar testet e 87 nxënësve, ndërsa janë larguar nga procesi i administrimit 8 zyrtarë, të cilët kanë bërë shkelje gjatë procesit të testit.

Për dallim nga ky vit, kalueshmëria e Provimit të Maturës në vitin 2017 ishte 83.5 për qind.

Ky provim vlerëson arritjet e njohurive, shkathtësive dhe aftësive të nxënësve, të cilat i kanë fituar në mësimet parauniversitare, në përputhje me kurrikulën e Republikës së Kosovës.

Përfundimi me sukses i këtij testi mundëson më pas aplikimin për studime në universitet.

Pragu i kalueshmërisë në provimin e maturës shtetërore sipas Ligjit për këtë test është 40 përqind.

XS
SM
MD
LG