Ndërlidhjet

Ligjvënësit amerikanë kërkojnë sanksionimin e një miliarderi rus


Vladimir Yevtushenkov
Vladimir Yevtushenkov

Dy ligjvënës amerikanë i bënë thirrje administratës së presidentit Donald Trump të konsiderojë goditjen me sanksione të miliarderit rus, Vladimir Yevtushenkov, dhe të shqyrtojë nëse ai është përfshirë në korrupsion.

Ileana Ros-Lehtinen, anëtare e Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe Mark Walker, e bënë kërkesën në një letër dërguar sekretarit të Thesarit, Steve Mnuchin, dhe sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo.

Letra u bën thirrje Mnuchinit dhe Pompeos "të ndërmarrin veprime të menjëhershme" për të përcaktuar nëse Yevtushenkov duhet të përballet me masa ndëshkuese.

"U bëjmë thirrje Departamentit të Thesarit dhe Departamentit të Shtetit që të hetojnë menjëherë Vladimir Yevtushenkovin, kompaninë e tij AFK Sistema dhe Mobile TeleSystems (MTS), dhe nëse e meritojnë, t'i sanksionojnë ata, sipas ligjeve dhe rregulloreve të SHBA.-së", thuhet në letër.

Letra citon një deklaratë të presidentit rus, Vladimir Putin, në tetor të vitit 2008, se kompania e Yevtushenkovit, AFK Sistema, do të ndërtojë objekte mjekësore në Krime, gadishull i Ukrainës i aneksuar nga Rusia në vitin 2014.

AFK Sistema kontrollon operatorin më të madh të telefonisë mobile të Rusisë, MTS, e cila tregtohet në bursën e Nju Jorkut.

Letra e ligjvënësve përmend po ashtu një hetim të korrupsionit të SHBA-së që përfshin aktivitetet e MTS-së në Uzbekistan.

Yevtushenkov është në mesin e dhjetëra manjatëve rusë që Departamenti i Thesarit thotë se kanë fituar pasuri ose pushtet përmes shoqërimit me Putinin.

Disa prej tyre janë goditur me sanksione në prill.

XS
SM
MD
LG