Ndërlidhjet

Kryeministri çek: Nuk lejojmë migrantë të paligjshëm në territorin tonë


Kryeministri i Çekisë, Andrej Babis.
Kryeministri i Çekisë, Andrej Babis.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Republikës Çeke u takua të premten për të diskutuar një plan krize, nëse Gjermania vendos të nisë mbylljen e kufijve për grupe të caktuara azilkërkuesish.

"Nuk mund t'i lejojmë këta migrantë të paligjshëm në territorin tonë, sepse kur ata hyjnë në terrenin tonë, bëhen problemi jonë", tha kryeministri çek, Andrej Babis.

Babis, themelues i partisë populiste ANO, tha se policia, doganat dhe ndoshta ushtria do të dërgohen menjëherë në kufi për të bërë kontrolle, nëse Gjermania mbyll kufirin e saj.

Babis theksoi mbështetjen e tij për një qendër refugjatësh jashtë Evropës dhe për një fushatë më të fuqishme kundër trafikantëve në Mesdhe.

Ai tha se është detyrë e Greqisë, Italisë dhe Spanjës për të monitoruar kufirin jugor të Evropës dhe se shtetet e tjera duhet të dërgojnë ndihmë sipas nevojës.

Republika Çeke dhe vendet e tjera të Vishegradit - Polonia, Hungaria dhe Sllovakia - e kundërshtojnë ashpër skemën e BE-së, që nga viti 2015, për t'i shpërndarë azilkërkuesit nëpër vende të ndryshme të bllokut, në bazë të sistemit të kuotave.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer, ka paralajmëruar se nëse kancelarja gjermane, Angela Merkel, nuk gjen mënyrë për të frenuar fluksin e migrantëve, ai do t'i mbyllë kufijtë kombëtarë për grupe të caktuara azilkërkuesish.

XS
SM
MD
LG