Ndërlidhjet

Vetëvendosje: Thaçi në Bruksel nuk e përfaqëson Kosovën


Pamje nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes. Foto nga arkivi
Pamje nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes. Foto nga arkivi


Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk është personi i duhur për të udhëhequr dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Në një konferencë për media, deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu përmendi një sërë marrëveshjesh të arritura në kuadër të dialogut në Bruksel, të cilat ajo i cilësoi si të dëmshme.

Ajo tha se sot në Bruksel, ku Thaçi takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, nuk e përfaqëson shtetin e Kosovës, por veten.

“Thaçi sot në takim me (Aleksandar) Vuçiqin nuk përfaqëson Kosovën, ai mundet veç veten të përfaqësojë atje. Kosovës i duhet një bilanc. Duhet një pasqyrë e plotë për marrëveshjet nga Energjia te Telekomunikacioni, nga liria e lëvizjes te njohja e diplomave, nga policia e gjyqësia në veri te përfaqësimi diplomatik i ndërsjellë, nga menaxhimi i përbashkët i kufirit e deri te denominimi antikushtetues i Republikës së Kosovës (fusnota). Hashim Thaçi duhet të ndalet, askush nuk mundet të pranojë dëme të reja për avazet e vjetra të tij”, tha deputetja Haxhiu.

Ndërkaq, nënkryetarja e Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku tha se presidenti Hashim Thaçi është president jokonsensual.

“Me një president jokonsensual dhe jokredibil, i cili ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme si ajo për ‘Zajednicën’ (Asociacionin) dhe pa u bërë një bilanc për të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani pala e Kosovës do të vazhdojë me kompromise të reja”, tha Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjendet në Bruksel për të marrë pjesë në një raund të ri të bisedimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takim që ndërmjetësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.

XS
SM
MD
LG