Ndërlidhjet

Hahn kërkon që BE të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë


Johannes Hahn

Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, i bëri thirrje bllokut që të nisë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë, duke theksuar rëndësinë e dhënies së një "sinjali pozitiv" për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Thirrja e tij vjen në kohën e ndarjeve të thella midis 28 vendeve anëtare të BE-së për të hapur ose jo negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Këto dy vende shpresojnë se ministrat e Jashtëm të BE-së do të japin dritën jeshile në samitin e sotëm në Luksemburg, por zyrtarë evropianë janë cituar të kenë thënë se Franca dhe Holanda mund të vënë kushte shtesë.

"Mendoj se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është të japim një sinjal pozitiv në rajon", tha komisionari Hahn.

Të hënën, edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, tha se pret që ministrat e Jashtëm të BE-së të pranojnë rekomandimet e Komisionit Evropian për të nisur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Përveç Maqedonisë dhe Shqipërisë, katër vende të tjera të Ballkanit mbeten jashtë BE-së: Mali i Zi, Serbia, Kosova dhe Bosnje e Hercegovina.

XS
SM
MD
LG