Ndërlidhjet

Merkel arrin marrëveshje me 14 shtete të BE-së për azilkërkuesit


Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Foto nga arkivi

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka arritur të ketë mbështetjen e 14 anëtarëve të Bashkimit Evropian, të cilët thonë se janë të gatshëm të nënshkruajnë marrëveshjen për të marrë sërish azilkërkuesit, të cilët paraprakisht janë regjistruar në vendet e tjera në bllokun prej 28-anëtarësh.

Marrëveshjet janë bërë publike në një letër që Merkel u ka dërguar dy liderëve të partnerëve të saj të koalicionit, të cilat i kanë parë agjencitë e lajmeve.

Merkel ka shkruar në këtë dokument se azilkërkuesit që kanë arritur në Gjermani, pasi paraprakisht janë regjistruar në shtetet e tjera të BE-së, duhet të vendosen në qendra të posaçme brenda BE-së, ku do të procesohen kërkesat për azil.

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, lider i Unionit Kristiansocial, i ka dhënë afat deri në korrik kancelares gjermane, që të ndalë rrjedhën e migrantëve në vend, ose do të ballafaqohet me rrëzimin e mundshëm të koalicionit qeverisës.

Shtetet e BE-së të listuara në këtë dokument, që shfaqin vullnetin për të pranuar migrantët, përfshijnë Republikën Çeke, Hungarinë dhe Poloninë – shtete që kanë kundërshtuar propozimet për ndarjen e përgjegjësive për pranimin e azilkërkuesve në mbarë Evropën.

Shtetet tjera që kanë arritur marrëveshje me Merkelin janë Belgjika, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Lituania, Letonia, Luksemburgu, Holanda, Portugalia dhe Suedia.

XS
SM
MD
LG