Ndërlidhjet

Ministri i Brendshëm gjerman ofron dorëheqje


Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, foto nga arkivi.

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, ka ofruar dorëheqjen e tij të dielën, kanë njoftuar zyrtarë të partisë, pas përshkallëzimit të debatit për migrimin, çështje e cila rrezikon qeverinë e kancelares gjermane, Angela Merkel, transmeton Reuters.

Seehofer ka thënë se ai është i gatshëm për të liruar pozitën e ministrit dhe të drejtuesit të Partisë Social-Demokrate, gjatë një takimi në të cilin është diskutuar për atë nëse duhet pranuar propozimin e Merkelit, të përcjellur nga takimi i Brukselit javën e kaluar.

Ky hap e bën qeverinë e kancelares Merkel edhe më të pasigurt.

Merkel është detyruar të kthehet nga fqinjtë evropianë për të kërkuar zgjidhje për krizën e migrantëve që tentojnë të hyjnë në Gjermani.

Kriza politike në këtë shtet është shenjë e një ndarje të madhe në mes të Bashkimit Evropian, pasi disa mbështesin idenë e kufijëve të hapur derisa pala tjetër dëshiron të kufizojë numrin e migrantëve që hyjnë në vendet e bllokut.

Seehofer, i cili i ka kërkuar kancelares Merkel të ashpërsojë politikën e saj për refugjatët, u ka thënë kolegëve të tij më herët se nuk sheh mundësi tjetër përveç kthimit të disa migrantëve në kufi, ka thënë një burim i partisë së tij.

Merkel në anën tjetër ka kundërshtuar këtë ide.

Javën e kaluar, liderët e BE-së janë pajtuar për të pranuar refugjatë në baza vullnetare dhe për të krijuar “qendra të kontrollit” brenda bllokut, në mënyrë që të analizohen kërkesat për azil.

XS
SM
MD
LG