Ndërlidhjet

Veseli kërkon mbështetjen e Holandës për liberalizimin e vizave


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë vizitës së tij në Holandë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar në Holandë, presidenten e senatit të këtij shteti, Ankie Broekers-Knol, me të cilën ka diskutuar perspektivën evropiane të Kosovës dhe nevojën e mbështetjes së Holandës në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai ka deklaruar edhe një herë se, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe se ky shtet e meriton lëvizjen e lirë në zonën Shengen.

“Vizitat nëpër vende të BE-së, sikurse kjo e tanishmja në Holandë, kanë të bëjnë me përpjekjet tona për t’i bindur instancat më të larta shtetërore të këtyre vendeve që të ushtrojnë ndikimin e tyre pozitiv për liberalizimin e vizave. Holanda është një nga mbështetëset kryesore të vendit tonë, e cila e ka njohur pavarësinë që në fillim dhe tani është investuese permanente në shtetndërtimin dhe progresin në Kosovë”, ka deklaruar Veseli.

Kryesenatorja holandeze, Ankie Broekers-Knol, ka thënë në anën tjetër se Holanda mbështet Kosovën në procesin e integrimeve evropiane.

Kosova pret nga Komisioni Evropian që këto ditë të dalë me rekomandime pozitive në lidhje me liberalizim të vizave, ndërkaq deri në dhjetor të përmbyllet i gjithë procesi.

Në rast të liberalizimit, qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin lirshëm në zonën Shengen, nga fillimi vitit 2019.

XS
SM
MD
LG