Ndërlidhjet

Haradinaj: Sivjet liberalizimi, por ka edhe disa javë punë


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kosovës nuk i rrezikohet liberalizimi i vizave, por çështja mbetet nëse do të ketë liberalizim gjatë vjeshtës apo në fund të vitit, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Këto komente, Haradinaj i bëri gjatë një konference për media, ku foli edhe në lidhje me disponimin aktual të liderëve të vendeve të BE-së, në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Duke u ndalur tek takimi i zhvilluar në Londër me kancelaren gjermane, Angela Merkel, kryeministri Haradinaj tha se Merkel ishte mjaft e kujdesshme, duke thënë se Gjermania e pret fillimisht rekomandimin e Komisionit Evropian dhe më pas do të dalë me qëndrimin e saj.

Në këtë fazë, Haradinaj tha se janë në pyetje javët deri kur Kosova të marrë rekomandim nga Komisioni Evropian, në mënyrë që procesi të mos shtyhet deri në vjeshtë.

“Liberalizimi nuk është betejë e humbur, por kemi punë”, theksoi Haradinaj. Ai u shpreh i bindur se Bashkimi Evropian nuk do ta shtyjë për vitin tjetër vendim.

“Po, sivjet. Javët janë në pyetje. Nëse shtyhet në vjeshtë është më problem se është koha e zgjedhjeve në BE”, tha Haradinaj, duke sqaruar se është në pyetje koha e marrjes së vendimit për liberalizimin dhe nuk është në pyetje rrezikimi i procesit.

Pas ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe prezantimit të rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, institucionet e Kosovës dhe liderët politik ishin shprehur optimistë, se Bashkimi Evropian do të nxirrte rekomandime pozitive qysh në fund të qershorit në lidhje me procesin e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. Sidoqoftë, një vendim i tillë ende nuk është marrë në Bruksel.

XS
SM
MD
LG