Ndërlidhjet

Egjipti shënjestron rrjetet sociale me ligj të ri


Ilustrim.
Ilustrim.

Parlamenti i Egjiptit ka miratuar një ligj që u jep kompetenca autoriteteve shtetërore për të bllokuar llogaritë në rrjetet sociale dhe të ndëshkojë gazetarët që publikojnë lajme të rreme, transmeton Reuters.

Sipas ligjit të miratuar ditën e hënë, llogaritë dhe blogjet që kanë më shumë se 5,000 ndjekës në Twitter dhe Facebook do të trajtohen si media, të cilat më pas mund të ndiqen penalisht për publikim të lajmeve të rreme apo shkeljes së ligjit.

Këshilli Suprem për Administrimin e Mediave, i udhëhequr nga një person i emëruar prej presidentit të Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, do të mbikqyrë ligjin dhe do të marrë masa në rast të shkeljes së tij.

Sipas legjislacionit, ndalohet krijimi i faqeve online pa leje paraprake nga Këshilli dhe i lejon këtij të fundit të bllokojë faqet ekzistuese apo të gjobisë redaktorët.

Ligji, i cili fillon së zbatuari pasi të ratifikohet nga Sisi, thekson se gazetarët mund të filmojnë vetëm në vendet që nuk janë të ndaluara, pa dhënë detaje shtesë.

Kritikët kanë thënë se këto masa janë marrë nga Qeveria për të shtypur kundërshtarët dhe për të shtuar kontrollin në rrjetet sociale.

XS
SM
MD
LG