Ndërlidhjet

Demokratët kërkojnë dëshminë e përkthyeses së Trumpit


Nga takimi Trump-Putin në Helsinki...
Nga takimi Trump-Putin në Helsinki...

Politikanët opozitarë në Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje përkthyeses së presidentit Donald Trump të dëshmojë përpara Kongresit, në lidhje me takimin e tij me presidentin rus, Vladimir Putin.

Udhëheqësi demokrat i Komitetit të Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, Robert Menendez, tha se Marina Gross duhet të paraqitet para komitetit.

Dyshimet rreth samitit janë rritur, pasi Trump është dashur të korrigjojë vetë deklaratat e tij, të bëra në konferencën e përbashkët për media me Putinin.

Në samitin e parë dypalësh, që është mbajtur më 16 korrik në Helsinki, Trump dhe Putin janë takuar privatisht për dy orë, me vetëm përkthyesit e tyre të pranishëm.

Trump ka realizuar takimin, pavarësisht hetimeve të vazhdueshme për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, të cilat i ka fituar ai.

Konfuzioni për pozicionin e Trumpit ka marrë një tjetër kthesë, kur ai ka refuzuar ta fajësojë liderin rus për ndërhyrjen në zgjedhje – gjë që më pas është mohuar nga Shtëpia e Bardhë.

Demokratët thonë se Gross, meqë ka qenë e vetmja zyrtare tjetër amerikane e pranishme në dhomën e takimit, duhet të japë detaje për ato që i kanë thënë presidentët njëri-tjetrit.

“Duam që përkthyesja të dalë para komitetit. Duam të dimë për deklaratat. Do të bëjmë përpjekje masive që kjo të ndodhë”, tha Menendez, transmeton BBC.

Sipas burimit të njëjtë, do të ishte e pazakonshme që një përkthyese të merret në pyetje.

XS
SM
MD
LG