Ndërlidhjet

OKB dënon dhunën që ka për qëllim t’i pengojë zgjedhjet në Afganistan


Pamje nga një mbledhje e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dënuar përdorimin e dhunës nga talibanët dhe militantët e Shtetit Islamik (IS), me qëllim që të pengojnë zgjedhjet në Afganistan.

Këshilli i Sigurimit, përmes një deklarate të lëshuar sot, vetëm një ditë pasi u vranë 23 persona nga një sulm me bombë në Kabul, tha se “dënon fuqishëm të gjithë ata që përdorin dhunën për të penguar procesin zgjedhor, përfshirë talibanët dhe Daeshin”, duke iu referuar kështu IS-it me akronimin arab.

Në deklaratë po ashtu është përshëndetur “guximi i jashtëzakonshëm i shfaqur nga Forcat afgane të Mbrojtjes dhe të Sigurisë, në rolin e tyre për të ofruar siguri në vendin e tyre”.

Përgjegjësinë për sulmin me bombë të së dielës, që ndodhi në afërsi të aeroportit të Kabulit, e ka marrë IS-i.

Ky sulm ndodhi vetëm pak kohë pasi zëvendëspresidenti afgan, Abdul Rashid Dostum u kthye nga ekzili.

Misioni për Asistencë i OKB-së në Afganistan, në një raport të publikuar ditë më parë, ka thënë se në gjysmën e parë të këtij viti janë vrarë 1700 civilë. Mbi gjysma e këtyre viktimave janë vrarë gjatë sulmeve të kryera nga IS-i.

Rreth 8,9 milionë afganë, përfshirë këtu 3 milionë gra, janë regjistruar si votues në zgjedhjet parlamentare dhe lokale që do të mbahen më 20 tetor. Afganistani po ashtu pritet të mbajë zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG