Militantët e Shtetit Islamik vranë rreth 100 njerëz në disa sulme në zonat e kontrolluara nga forcat qeveritare në jug të Sirisë.
Më së keqi u godit qyteti Sueida, i cili ndodhet rreth 100 kilometra në jug të Damaskut.
Autoritetet spitalore, që u cituan nga një radio-stacion pro-qeveritar, thanë se 96 njerëz kanë vdekur dhe 176 janë plagosur.
Por, Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, grup monitorues i luftës në Siri, tha se 156 njerëz janë vrarë, në mesin e tyre edhe forca siriane të sigurisë.
Shteti Islamik tha përmes një deklarate se ka vrarë mbi 100 njerëz në disa sulme.
Me ndihmën e Rusisë, Qeveria siriane ka rikthyer kontrollin e një pjese të madhe të Sirisë jugore, në muajt e fundit.