Ndërlidhjet

Ndahet nga jeta Bekim Lumi


Bekim Lumi
Bekim Lumi

Pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 51-vjeçare, ka ndërruar jetë regjisori nga Kosova, Bekim Lumi.

Regjisori Lumi ishte profesor në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ndërkohë që në skenat e teatrove ka ngritur një numër shfaqjesh të suksesshme.

Në qershor të këtij viti, regjisori Lumi, vuri në skenë shfaqjen e tij të fundit, “Arturo Ui” të autorit Bertolt Brecht.

I ndjeri Lumi, për disa vite, punoi edhe si korrespondent nga Kosova i Radios Evropa e Lirë.

Ngushëllime familjes Lumi i ka shprehur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ne një shkrim në rrjetin social Faceboook, presidenti Thaçi e ka cilësuar të dhimbshëm lajmin mbi vdekjen e regjisorit Lumi.

“Si artist e si regjisor, Bekim Lumi kontribuoi shumë për artin, teatrin, kulturën dhe për edukimin e artistëve të rinj. Ngushëllime familjes Lumi dhe të gjithë artistëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar të pikëlluar lajmin “për kalimin në amshim” të regjisorit Bekim Lumi.

“Ikja e hershme e Lumit ka lënë një zbrazëti të madhe në familje, shoqëri dhe sidomos në artin e regjisë. Ai nuk rreshti për tri dekada me radhë t’i jepte vulën e tij origjinale artit dramatik të Kosovës. Ngushëllime të sinqerta familjes Lumi, të gjithë atyre artistëve që punuan më të si dhe miqve të shumtë”, ka shkruar kryeministri Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Regjisori Lumi, tash e dy vjet, ka qenë duke u përballur me sëmundjen e kancerit.

XS
SM
MD
LG