Ndërlidhjet

Venezuela arreston "terroristë" pas sulmit ndaj Maduros


Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro.

Gjashtë “terroristë dhe vrasës të paguar” janë arrestuar në Venezuelë, të cilët janë akuzuar për tentim-vrasje të presidentit të këtij shteti, Nicolas Maduro në një sulm të supozuar me dronë, ka njoftuar Qeveria të dielën, transmeton AFP.

Ministri për punë të Brendshme dhe Drejtësi, Nestor Reverol, ka njoftuar për arrestimet në televizionin shtetëror, duke thënë se ndalime të ngjashme mund të ndodhin sërish, “në orët vijuese”.

Tre ushtarë kanë qenë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe katër të tjerë janë plagosur në një sulm të dyshuar, i cili ka përfshirë dy dronë, ka thënë Reverol.

Ai e ka përshkruar këtë ngjarje si “krim të terrorizmit” dhe ka thënë se “autorët materialë dhe ata intelektualë brenda dhe jashtë shtetit”, janë identifikuar.

Maduro ka premtuar “ndëshkim maksimal” për ata që kanë tentuar ta vrasin.

Ai ka drejtuar gishtin te presidenti në shkuarje i Kolumbisë, Juan Manuel Santos dhe opozitës së brendshme për sulmin e dyshuar.

Prokurori i Përgjithshëm, Tarek William Saab, ka thënë se emrat e të arrestuarve do të publikohen të hënën.

Në pamjet e televizionit shtetëror është parë Maduro para dëgjimit të një zhurme, teksa personeli i sigurimit e ka mbrojtur menjëherë.

Në pamje nuk janë dukur dronët dhe transmetuesi ka humbur sinjalin brenda një kohe të shkurtër.

XS
SM
MD
LG