Ndërlidhjet

Vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit pas tërmetit vdekjeprurës në Indonezi


Pamje nga Indonezia.

Ekipet e shpëtimit janë duke vazhduar kërkimet në një xhami në Lombok të Indonezisë, pas dyshimeve se kanë mbetur disa persona nën rrënoja, si pasojë e një tërmeti vdekjeprurës që ka goditur këtë zonë të dielën.

Tërmeti 6.9 shkallë deri më tani ka lënë të vdekur 100 persona dhe rreth 20,000 të tjerë pa strehim.

Xhamia është vetëm një nga mijëra ndërtesat e dëmtuara në veri të ishullit Lombok.

Agjencia kombëtare për shpëtim ka njoftuar se deri më tani janë shpëtuar dy persona nga rrënojat.

Tërmeti ka ndodhur të dielën në kohën e lutjeve të mbrëmjes.

Një dëshmitar i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP, se në xhaminë Jabal Nur mund të kenë qenë rreth 50 persona.

“Imami ynë ka vrapuar dhe të tjerët e kanë ndjekur”, ka thënë 53 vjeçare, Kelana.

Zëdhënësi i agjencisë për Katastrofa, Sutopo Purwo Nugroho, ka thënë se jashtë xhamisë janë gjetur shumë këpucë, çka ka rritur shqetësimet se mund të ketë më shumë viktima në atë zonë.

XS
SM
MD
LG