Ndërlidhjet

Merkel dëshiron të arrijë marrëveshje me Italinë për migrantët


Kancelarja gjermane, Angela Merkel

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha sot se asaj i duhet më shumë kohë për të negociuar rreth një marrëveshjeje, e cila do t’i lejonte Gjermanisë që të kthejë mbrapsht azilkërkuesit, të cilët tashmë kanë aplikuar për azil në shtetin e Italisë.

“Ne jemi në procesin e negociatave”, tha sot Merkel, raporton agjencia DPA.

Këto komente të Merkelit vijnë vetëm një javë pasi kancelarja gjermane arriti një marrëveshje të ngjashme me Madridin zyrtar, ku i lejohet Gjermanisë që të kthejë mbrapsht azilkërkuesit, të cilët tashmë kanë dorëzuar aplikacionet për azil në Spanjë.

Merkel tha se do të takohet me kryeministrin italian, Giuseppe Conte, që ta arrijë një marrëveshje të tillë edhe me Italinë, duke shtuar se nuk është larg arritja e një marrëveshjeje të tillë.

Sipas marrëveshjes me Spanjën, Gjermania mund të kthejë migrantët në Spanjë brenda 48 orëve nga ardhja e tyre në shtetin gjerman. Ndonëse kjo marrëveshje hyri në fuqi të shtunën, asnjë migrantë deri më tani nuk është dëbuar nga Gjermania për në Spanjë, thanë zyrtarët e Ministrisë së Brendshme gjermane.

Kancelarja Merkel është nën presion nga ministri i saj i Brendshëm, Horst Seehofer që të arrijë marrëveshje dypalëshe me partnerët kyç evropianë sa i përket çështjes së azilkërkuesve.

XS
SM
MD
LG