Ndërlidhjet

Bolton dhe Netanyahu bëjnë thirrje për “presion më të madh” ndaj Iranit


John Bolton dhe Benjamin Netanyahu

Gjatë takimit në Jerusalem, këshilltari për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara, John Bolton dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i kanë bërë thirrje shteteve evropiane që të rrisin presionin ndaj Iranit.

Bolton i tha Netanyahut se SHBA-ja e sheh “rëndësinë e madhe” në ndalimin e Iranit që të sigurojë armë bërthamore dhe prandaj, sipas tij, presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr nga marrëveshja bërthamore mes Teheranit dhe fuqive botërore.

“Prandaj, ne kemi punuar me miqtë tanë në Evropë, që t’i bindim ata rreth nevojës për hapa më të fuqishëm kundër programit të armëve bërthamore dhe raketave balistike të Iranit”, tha Bolton.

Në muajin maj, Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e arritur më 2015 mes Teheranit dhe fuqive botërore, që i mundësonte Iranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor.

Duke e quajtur këtë marrëveshje si “katastroike”, Netanyahu tha se “të gjitha vendet që duan paqe dhe siguri në Lindjen e Mesme, duhet të ndjekin Amerikën në rritjen e presionit ndaj Iranit”, u shpreh Netanyahu, që duket se i është referuar shteteve evropiane.

“Sa më i madh presioni ndaj Iranit, aq më i madh është shansi që regjimi të tërhiqet nga agresioni. Të gjithë ne duhet të bashkohemi në këtë përpjekje”, tha Netanyahu.

Administrata e Trumpit ka kërkuar rritjen e presionit ndaj Iranit, për shkak të, siç është thënë, “ndryshimit të sjelljes” në lidhje me programin e armëve dhe programit bërthamor të Teheranit, dhe aktiviteteve “destabilizuese” të Republikës Islamike në rajon. Të gjitha këto akuza janë hedhur poshtë nga Irani.

Shtetet evropiane janë duke kërkuar që të shpëtojnë marrëveshjen bërthamore dhe janë zotuar se do t’i ofrojnë Iranit përfitime ekonomike, që parashihen në marrëveshjen e vitit 2015, duke argumentuar se marrëveshja po funksionon, duke e ndaluar Teheranin që të ketë armë bërthamore.

XS
SM
MD
LG