Ndërlidhjet

SHBA kundërshton teoritë e “egra” konspirative të Dodikut


Lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik ka akuzuar Shtetet e Bashkuara rreth përdorimit të agjencive të tyre për zhvillim për ndërhyrje në çështjet e brendshme dhe në procesin zgjedhor të Bosnje dhe Hercegovinës, akuzë e hedhur poshtë nga ambasada amerikane në Sarajevë.

“Edhe një herë tjetër, ndihma e popullit të Shteteve të Bashkuara po përdoret për të mbështetur teori të egra konspirative në interes së fushatës zgjedhore në Bosnjë”, ka njoftuar ambasada përmes një deklarate më 22 gusht.

Dodik planifikon të garojë për ulësen e serbëve në presidencën tripalëshe të Bosnjës, në zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale që mbahen më 7 tetor të këtij viti.

Ambasada amerikane ka akuzuar Dodikun edhe për tentim të frikësimit të partnerëve të USAID-it, teksa misioni diplomatik ende është duke negociuar me Qeverinë qendrore të Bosnjës disa programe në vlerë të 8 milionë dollarëve për të ndihmuar në luftimin e korrupsionit.

Kryeministri boshnjak, Denis Zvizdiq po ashtu ka hedhur poshtë pretendimet e Dodikut dhe ka akuzuar politikanët serbë për krijim të deklaratave “provokative” si pjesë të fushatës së tij zgjedhore.

Dodik ka thënë më 21 gusht se agjencia e Qeverisë Amerikane, USAID, është duke zbatuar programin e saj për ndihma përmes organizatave joqeveritare në vend të përfshirjes së institucioneve shtetërore dhe Qeverisë.

Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, ka akuzuar edhe Qeverinë e këtij shteti për komplote me USAID-in në këtë çështje, teksa u ka bërë thirrje organizatave joqeveritare në Republikën e banuar me serbë që financohen nga ky trup amerikan se do të jenë pjesë e hetimeve.

Dodik, përfaqësues i serbëve të Bosnjës, ka akuzuar shpesh Perëndimin për siç është shprehur ai qasje paragjykuese kundër serbëve.

Bosnja është e ndarë në dy etni: Republika Serbe e Bosnjës e dominuar nga serbët dhe Federata Myslimano-Kroate e boshnjakëve dhe kroatëve.

Të dyja etnitë janë të lidhura nga institucione të përbashkëta të nivelit shtetëror, duke përfshirë presidencën tripalëshe.

Dodik është kritik i shpeshtë i SHBA-së, pasi edhe më herët ka tensionuar lidhjet me këtë shtet.

Autoritetet amerikane kanë vënë sanksione kundër tij një vit më parë, si shkak të përpjekjeve për të penguar një marrëveshje për paqe në Bosnje dhe Hercegovinë.

Dodik po ashtu ka bërë thirrje për Republikë të pavarur Serbe vitin e kaluar, duke sfiduar një udhër të Gjykatës Kushtetuese me thirrjet e tij për mbajtjen e një referendumi për një festë që është cilësuar jokushteteuse dhe diskriminuese.

Sanksionet u ndalojnë qytetarëve amerikanë të kryjnë transaksione në të cilët përfshihet Dodik, si dhe u lejojnë autoriteteteve amerikane të bllokojnë qasjen e tij në pronat apo asetet e tij nën juridiksionin amerikan.

“Sanksionet janë rezultat i thirrjeve të Dodikut për ndarje, qasje provokuese ndaj Gjykatës Kushtetutese dhe thirrjet për tërheqje të forcave të armatosura të Republikës Serbe të Bosnjës nga ushtria”, pati thënë një zyrtar amerikan për agjencinë e lajmeve Reuters një vit një më parë.

Muajin e kaluar, Dodik ka akuzuar Britaninë për dërgim të specialistëve të inteligjencës në Bosnjë për të ndërhyrë në fushatën zgjedhore.

Britania në anën tjetër ka thënë se ai është duke “shpikur kërcënime të rreme” në kuadër të fushatës zgjedhore.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG