Ndërlidhjet

SHBA: Rivendosja e sanksioneve në Iran është ligjore


Flamuri i SHBA-së dhe Iranit.
Flamuri i SHBA-së dhe Iranit.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se rivendosja e sanksioneve kundër Iranit është ligjore dhe masa e justifikuar për siguri kombëtare nuk mund të sfidohet nga Teherani në gjykatën më të lartë të Kombeve të Bashkuara.

Këshilltarja ligjore e Departamentit amerikan të Shetit, Jennifer Newstead, u ka bërë thirrje gjyqtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 28 gusht, të kundërshtojnë një kërkesë nga Irani, përmes së cilës kërkohet që të pezullohen sanksionet e vendosura nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, më herët gjatë këtij muaji.

Kjo masë ka pasuar tërheqjen e Uashingtonit nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 që ka Tehrani me gjashtë fuqi botërore.

Ky pakt parasheh frenimin e aktivitetit bërthamor të Iranit, në këmbim të heqjes së sanksioneve për këtë shtet.

Newstead i ka thënë Gjykatës së OKB-së në Hagë se e njëjta nuk ka juridiksion për të vendosur në këtë çështje dhe se Shtetet e Bashkuara kanë të drejtë të mbrojnë sigurinë kombëtare dhe interesat tjera.

Në ditën e parë të seancës dëgjimore më 27 gusht, avokati që ka përfaqësuar Iranin, Mohsen Mohebi, i ka thënë gjykatës se politikat amerikane në Iran janë asgjë tjetër përveç “agresionit të hapur ekonomik”.

Irani ka nisur një ankesë drejt kësaj gjykate në muajin korrik, duke pretenduar se sanksionet shkelin Traktatin e Miqësisë në mes të Uashingtonit dhe Teheranit që daton nga viti 1955.

Ky Trakat, që ka bërë thirrje për “marrëdhënie miqësore” në mes të dy shteteve, është nënshkruar shumë kohë para Revolucionit Islamik të vitit 1979, çka ka rezultuar me armiqësi në mes të dy shteteve.

Sanksionet amerikane që kanë nisur së aplikuari muajin e kaluar shënjestrojnë industrinë e veturave të Iranit, tregtinë në ari dhe metale tjera të çmueshme dhe qasje në dollarin amerikan.

Vala e dytë e sanksioneve pritet të nisë së zbatuari në muajin nëntor dhe mëton të prekë sektorin e naftës dhe atë bankar, sektoret kyçe në ekonominë iraniane.

XS
SM
MD
LG