Ndërlidhjet

Thaçi: Propaganda e opozitës kundër aleatëve është e rrezikshme


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kominiteti ndërkombëtar është i përfshirë në përpjekjet për arritjen e marrëveshjes paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se marrëveshja eventuale, e cila, sipas tij, është shumë e vështirë të arrihet, qëllim kryesor ka njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e saj në BE, NATO dhe OKB.

Thaçi, përmes një postimi në Facebook, kritikoi opozitën në Kosovë dhe, siç tha ai, "disa zëra të vetmuar të shoqërisë civile", për konsiderimin e kësaj mbështetjeje si "qëllimkeqe për Kosovën".

"Nuk ka fatkeqësi më të madhe për shtetin dhe qytetarët e Kosovës kur disa parti opozitare apo individë e vendosin në pikëpyetje përkrahjen e SHBA-së dhe aleatëve tanë kryesorë. Kjo situatë është për keqardhje", tha Thaçi.

Ai theksoi se sovraniteti shtetëror dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i garantuar nga Kushtetuta dhe jo nga, siç u shpreh, "deklaratat emocionale të atyre që as nuk e kanë idenë sesi është fituar liria dhe pavarësia" e Kosovës.

"Kjo propagandë e paskrupullt e partive opozitare kundër aleatëve tanë ndërkombëtarë, e mbështjellë me panikun për gjoja cenimin e sovranitetit shtetëror, është e rrezikshme dhe e turpshme", tha mes tjerash Thaçi.

Ai nuk e saktësoi se cilat janë saktësisht partitë opozitare të cilave ua drejton këtë postim dhe si mund të jenë ato në kundërshtim me, siç tha, aleatët ndërkombëtarë.

Ideja që ka shpalosur Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, për "korrigjim kufijsh", si marrëveshje e mundshme midis dy vendeve, ka nxitur reagime kundër në Prishtinë, por edhe te disa përfaqësues ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG