Ndërlidhjet

Pakistani dëshiron diskutim për ndërprerjen e fondeve të SHBA-së


Ministri i Jashtëm pakistanez, Shah Mehmood Qureshi.

Ministri i Jashtëm pakistanez, Shah Mehmood Qureshi ka thënë se synon të flasë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo lidhur me vendimin e Uashingtonit për të ndërprerë pagesën amerikane në vlerë të 300 milionë dollarëve për ushtrinë e Pakistanit.

Qureshi ka thënë se do ta ngrisë këtë çështje më 5 shtator kur Pomepo dhe gjenerali amerikan, Joseph Dunford, planifikojnë të vizitojnë Islamabadin.

“Do të ulemi me Pompeon, do të diskutojmë pikëpamjet tona dhe do të shkëmbejmë ide”, ka deklaruar Qureshi.

Sipas tij paratë nuk janë “ndihmë” siç janë përshkruar nga Uashingtoni, mirëpo pagesë për kompensuar Pakistanin në shpenzimet në fushatën e përbashkët kundër terrorizmit.

“Këto 300 milionë dollarë nuk kanë qenë ndihmë”, është shprehur ai.

“Këto janë para, të cilat Pakistani ka shpenzuar në luftimin e terrorizmit përmes burimeve të veta dhe ata janë duke na kompensuar neve”.

Pentagoni ka njoftuar më 1 shtator se do të anulojë ndihmën ushtarake në vlerë të 300 milionë dollarëve për Pakistanin, në atë që Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar mungesë të veprimit të Islamabadit kundër militantëve.

Zëdhënësi i Pentagonit, Kone Faulkner ka thënë se fondet do të jepen për “prioritet tjera urgjente” nëse miratohen nga Kongresi.

Më herët gjatë këtij vitit, Kongresi amerikan ka pezulluar edhe disa fonde tjera në vlerë të 500 milionë dollarëve, duke dërguar në 800 milionë shumën e fondeve të tërhequra në këtë shtet.

Në fillim të vitit 2018, presidenti amerikan, Donald Trump pati thënë se “Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Pakistanit më shumë se 33 miliardë dollarë ndihmë në 15 vjetët e fundit dhe ata na kanë dhënë asgjë tjetër përveç gënjeshtrave dhe mashtrimit duke menduar se liderët tanë janë budallenj”.

Pakistani në anën tjetër kundërshton akuzat se nuk është duke bërë mjaftueshëm për luftim të terrorizmit apo se ofron streha për militantët që operojnë në Afganistan.

XS
SM
MD
LG