Ndërlidhjet

Trump kundërshton të dhënat për viktimat nga stuhia në Puerto Riko


Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kundërshtuar se gati 3,000 persona kanë vdekur në Puerto Riko si pasojë e dy stuhive që kanë goditur këtë ishull vitin e kaluar.

“Nuk kanë vdekur 3000 persona nga dy stuhitë në Puerto Riko”, ka thënë Trump në Twitter, pa ofruar të dhëna për këtë pretendim.

Sipas tij, demokratët kanë ndërhyrë në numrin zyrtar të viktimave ashtu që situata të duket “sa më keq që është e mundur”.

Shifra e përmendur është prezantuar muajin e kaluar pas realizimit të një studimi të pavarur.

Të enjten, Trump ka deklaruar në disa postime në rrjetin social, Twitter se demokratët e kanë sulmuar atë kur ai “me sukes ka rritur shifrat në miliarda dollarë për të ndihmuar në rindërtimin e Puerto Rikos”.

Presidenti republikan ka thënë se numri i viktimave si pasojë e stuhisë është rritur me qëllim, duke shtuar në atë listë edhe personat që kanë vdekur nga shkaqet e natyrshme, siç është mosha.

“Politikë e keqe. Unë e dua Puerto Rikon”, ka deklaruar ai.

Deklaratat e Trumpit kanë ardhur teksa Stuhia Florence, tanimë në kategorinë e dytë, pritet të shkaktojë vërshime katastrofike në bregun lindor të SHBA-së.

Universiteti George Washington ka gjetur në muajin korrik se 2,975 persona kanë vdekur në Puerto Riko, si rezultat i Stuhisë Maria, e cila pati vërshuar territorin e këtij ishulli në shtator të vitit 2017.

Gurvernatori i Puerto Rikos, i cili ka kërkuar kryerjen e këtij studimi, ka pranuar shifrat e personave të vdekur.

Në studimin e këtij Universiteti janë përfshirë edhe personat që kanë vdekur gjashtë muaj pas stuhisë, si rezultat i shëndetit të ligë dhe mungesës së energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm.

XS
SM
MD
LG