Ndërlidhjet

Guterres i kërkon Mianmarit të lirojë gazetarët e Reutersit


Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i bëri thirrje Qeverisë së Mianmarit që t'i falë dy gazetarët e Reutersit, që janë dënuar me nga shtatë vjet burgim, pasi kanë raportuar për masakrat në shtetin Rakhine.

Guterres tha se "është e papranueshme që gazetarët e Reutersit të mbahen në burg për atë që kanë bërë".

"Shpresoj se qeveria do t'i falë dhe do t'i lirojë ata sa më shpejt që është e mundur", tha Guterres.

Gazetarët Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo janë dënuar me nga shtatë vjet burgim më 3 shtator, për, siç është thënë, posedim të sekreteve shtetërore.

Ata kanë raportuar për dhunën e ushtrisë së Mianmarit që ka çuar në largimin e rreth 700,000 mysimanëve Rohingya drejt Bangladeshit.

Aung San Suu Kyi, udhëheqësja de facto e Birmanisë, ka thënë se gazetarët janë dënuar sepse kanë thyer ligjin dhe jo për shkak të punës si gazetarë.

Gazetarët e Reutersit i kanë mohuar akuzat.

Mianmari, i njohur edhe si Birmani, ka qenë në shënjestër të kritikave ndërkombëtare për shkak të trajtimit të myslimanëve Rohingya, sidomos në shtetin Rakhine.

Autoritetet e Mianmarit thonë se veprimet e tyre janë të drejtuara kundër militantëve të dhunshëm dhe jo kundër civilëve.

XS
SM
MD
LG