Ndërlidhjet

KDI: Mbi 77 për qind e të anketuarve kundër idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë


Jeta Krasniqi, foto nga arkivi.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar të premten rezultatet e një sondazhi me qytetarët lidhur me procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas sondazhit të realizuar nga ky Institut, kur qytetarët janë pyetur nëse do të pranonin shkëmbimin e territorit në mes të Kosovës dhe Serbisë, 77.6 për qind e respondentëve kanë kundërshtuar këtë ide.

Në pyetjen se çfarë veprimesh do të ndërmerrnin qytetarët nëse presidentët e Kosovës dhe Serbisë arrijnë marrëveshje për shkëmbim të territoreve mbi baza etnike, sondazhi ka nxjerr në pah se 51.5 për qind e qytetarëve do të protestonin kundër kësaj marrëveshjeje.

Përveç tjerash, 20 për qind kanë thënë se do të kërkonin referendum dhe 9 për qind janë deklaruar se do të pajtoheshin me këtë marrëveshje.

Sipas rezultateve të këtij sondazhi, janë 75,1 për qind e qytetarëve që janë shprehur të pakënaqur me kahjen që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po i jep dialogut Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Në sondazh, vetëm 20 për qind e të anketuarve janë shprehur të kënaqur me këtë proces.

“Në pyetjen se cilën nga dy alternativat e mundshme qytetarët do të pranonin, përkatësisht ndryshim të kufijve të Kosovës apo asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetencë ekzekutive, shumica dërmuese e respondentëve përkatësisht 82.9 për qind janë shprehur se nuk do të pranonin asnjë alternativë, ndërsa 10.5 për qind e tyre do të preferonin më shumë ndryshim të kufijve sesa asociacion të komunave me shumicë serbe për të cilën 6.6% e qytetarëve kanë shprehur mbështetje”, tha në një konferencë për media, Jeta Krasniqi nga ky Institut.

Krasniqi po ashtu ka treguar se sa i përket kënaqëshmërisë së qytetarëve me rolin që po luajnë partitë opozitare në procesin e dialogut në Bruksel, 65.5 për qind e respondentëve janë shprehur të pakënaqur dhe vetëm 29 për qind kanë thënë se janë të kënaqur me rolin që po luajnë partitë opozitare në këtë proces.

Ajo tha se qytetarët në këtë sondazh janë pyetur për zhvillimet e fundit rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi, rreth rolit të presidentit dhe opozitës, rreth opsionit të shkëmbimit të kufijve në mes palëve si pjesë të një marrëveshjeje eventuale dhe veprimeve të tyre, si dhe për alternativën më të pranueshme të qytetarëve në mes një asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive dhe ndryshimit të kufijve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG