Ndërlidhjet

Putin propozon zbutjen e dënimit për ata që "nxisin urrejtje"


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, propozoi zbutjen e dënimit për disa raste të nxitjes së urrejtjes.

Amendamenti që iu dorëzua parlamentit do të hiqte mundësinë e dënimit me burg për ata që shkelin ligjin për herë të parë, duke nxitur urrejtje etnike, fetare apo tjetër, në media ose internet.

Shkelësit për herë të parë, do të përballeshin me ndjekje adminstrative dhe jo penale, që do të thotë se do të gjobiten, do të shërbejnë për komunitetin ose do të burgosen për kohë të shkurtër.

Nëse personi kryen vepër të ngjashme brenda një viti pas dënimit të tij administrativ, atëherë ai ose ajo do të përballet me ndjekje penale dhe mundësinë e burgosjes për dy deri në pesë vjet.

Në vitet e fundit, aktivistët e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësime për arrestimin dhe burgosjen e rusëve që publikisht kanë vënë në dyshim dogmat fetare ose kanë postuar apo pëlqyer komente, që, sipas autoriteteve, kanë nxitur urrejtje.

Propozimi i Putinit pason një varg rastesh, në të cilat rusët janë akuzuar për publikimin e materialeve, nganjëherë satirike, në rrjetet sociale si VKontakte dhe Facebook.

XS
SM
MD
LG