Ndërlidhjet

Institucionet të mos ngrohen me thëngjill


Ilustrim.

Task-forca për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka miratuar propozim- vendimin për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në objektet e institucioneve publike.

Ky vendim pritet të procedohet për miratim në Qeverinë e Kosovës.

Ushtruesi i detyrës në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se vendimi për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në objektet e institucioneve publike ka për qëllim reduktimin e ndotjes së ajrit.

“MMPH me qëllim të reduktimit të ndotjes së ajrit, ka dërguar në Qeveri dhe Kuvend projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, po ashtu Qeveria e Kosovës ka miratuar planin e veprimit për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend”, ka thënë Matoshi.

Ai ka bërë të ditur se MMPH-ja, me përkrahjen e Komisionit Evropian ka instaluar softuerin qendror për mbledhjen e të dhënave të cilësisë së ajrit nga stacionet monitoruese dhe paraqiten e tyre në kohë reale.

Ndryshe, dimrin e kaluar cilësia e ajrit në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë pati arritur në një nivel alarmant, duke tejkaluar të gjitha standardet e rekomanduara.

Veturat e shumta, Korporata Energjetike e Kosovës, përdorimi i thëngjillit për ngrohje, kushtet e pafavorshme atmosferike janë konsideruar nga institucionet e Kosovës në mesin e faktorëve kryesorë të ndotjes së ajrit.

XS
SM
MD
LG