Ndërlidhjet

Talibanët sulmojnë një qark në Afganistanin Qendror


Ilustrim

Të paktë shtatë zyrtarë policorë janë vrarë gjatë përleshjeve me militantët talibanë në provincën qendrore afgane Wardak, thanë zyrtarët.

Talibanët i kanë vënë flakën një ndërtese qeveritare në qarkun Sayeed Abad, ku kanë vrarë shefin e policisë dhe gjashtë zyrtarë të tjerë, tha zëdhënësi i guvernatorit provincial.

Zëdhënësi Abdul Rahman Mangal, tha se talibanët kanë shkatërruar pikat e kontrollit dhe kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike për disa pjesë të qytetit.

Forcat e sigurisë afgane kanë thënë se beteja e armatosur me talibanët është duke vazhduar, ka shtuar Mangal. Ai tha se ende nuk e di nëse ka talibanë të vrarë në këtë përleshje të armatosur.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid përmes një deklarate ka njoftuar se talibanët kanë marrë nën kontroll qendrën e Sayeed Abad dhe zonën përreth, duke shtuar se militantët po ashtu kanë nën kontroll pikat e kontrollit të policisë.

Disa raportime thonë se militantët kanë shkatërruar një autostradë të rëndësishme, që lidh këtë zonë me kryeqytetin Kabul dhe provincat Ghazni, Zabul dhe Kandahar.

Militantët talibanë dhe ata të grupit ekstremist Shteti Islamik kanë kryer një seri sulmesh vdekjeprurëse në gjithë Afganistanin, përpara zgjedhjeve parlamentare, që pritet të mbahen më 20 tetor.

XS
SM
MD
LG