Ndërlidhjet

Dodik: Do të kërkoj njohjen e Krimesë si pjesë të Rusisë


Presidenti i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik.
Presidenti i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik.

Ambasada e Ukrainës në Bosnjë dhe Hercegovinë ka reaguar pas deklaratave të të sapozgjedhurit në presidencën tri palëshe të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili ka thënë se pas marrjes së detyrës do të kërkojë njohjen e Krimesë si pjesë të Rusisë.

Ambasada ukrainase e ka quajtur jo miqësore këtë deklaratë duke theksuar se ajo mund të shkaktojë dëmtim të raporteve mes dy vendeve si dhe të vetë autoritetit të Bosnje Hercëgovinës në arenën ndërkombëtare.

Kreu i Social-Demokratëve të Pavarur, Millorad Dodik deklaroi se do të fillojë këtë iniciativë për ta njohur Krimenë si pjesë integrale të Rusisë.

“Natyrisht se do të filloj këtë inicativë dhe synoj që Krimea të njihet në nivel të Bosne Hercegovinës” ka deklaruar Dodik për të përditshmën ruse Izvestija, duke shtuar se bashkimi i Krimesë me Rusinë ka ndodhur pas një “referendumi legjitim”.

Lideri i serbëve të Bosnjës, Dodik ka thënë se është i interesuar, që sapo të krijohet mundësia, personalisht ta vizitojë Krimenë dhe se këtë do ta bëjë sapo të krijohet mundësia e parë. Ai po ashtu ka deklaruar se kurrë nuk do të përkrahë anëtarësimin e Bosnjës në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Ai në këtë intervistë deklaroi po ashtu se është i interesuar që në Republikën Serbe të Bosnjës, të ndërtojë një qendër humanitare ruso-serbe, të njëjtë sikurse ajo që gjendet në Nish të Serbisë.

XS
SM
MD
LG