Ndërlidhjet

Ministri Tahiri takohet me kryeprokurorin e Gjykatës së Posaçme


Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri
Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka pritur sot në takim prokurorin e specializuar të Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte në Kosovë, Jack Smith.

Në këtë takim, ministri Tahiri, siç thuhet në një komunikatë për media, ka shprehur “gatishmërinë e institucione të Kosovës që të përmbushin të gjitha obligimet ndaj Dhomave të Specializuara”.

Ministri Tahiri ka kërkuar nga prokurori Smith që “qytetarët që potencialisht mund të jenë subjekt i paraqitjes pranë këtyre Dhomave, të trajtohen në përputhje me normat dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut, dhe të bazuara në standardet më të avancuara juridike ndërkombëtare”, thuhet tutje në komunikatë.

Pas takimit të veçantë mes ministrit Tahiri dhe prokurorit Smith, është mbajtur edhe një takim i përbashkët me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, si dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Prokurori amerikan, Jack Smith, është emëruar kryeprokuror i Dhomave të Veçanta apo i Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte pas një procesi të përzgjedhjes, të organizuar nga Bashkimi Evropian, dhe ai ka nisur detyrën më 11 shtator.

Mandati i Gjykatës Speciale për Krime Lufte përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve. Këto krime të dyshuara përfshijnë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

Kjo gjykatë është krijuar pas ndryshimeve kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.

XS
SM
MD
LG