Ndërlidhjet

SHBA kërkon armëpushim të shpejtë në Jemen


Pamje nga shkatërrimi në Jemen.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo kanë bërë thirrje për armëpushim të shpejtë në Jemen.

Mattis ka thënë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të shohin të gjitha palët në tavolinën e negociatave dhe t’iu japin fund sulmeve ajrore brenda 30 ditëve.

Në një deklaratë të ndarë Pompeo ka thënë se negociatat e udhëhequra nga Kombet e Bashkuara, që ndihmojnë në dhënien fund të luftës, duhet të mbahen sërish këtë muaj.

Jemeni aktualisht është duke u përballur me një fatkeqësi humanitare në rritje, teksa konflikti i afrohet vitit të katërt.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump është nën presion për shkak të përkrahjes së koalicionit të mbështetur nga sauditët, i cili mbështet Qeverinë jemene kundër rebelëve huthi.

Kritikët kanë thënë se bombardimet e koalicionit janë duke shkaktuar numër të papranueshëm të viktimave civile dhe janë duke rritur krizën humanitare.

Ndërkohë edhe vrasja e gazetarit, Jamal Khashoggi në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll ka shtuar vëmendjen në marrëdhëniet e SHBA-së me këtë shtet.

Jemeni është shkatërruar nga konflikti që është përshkallëzuar në fillim të vitit 2015, pasi rebelët huthi kanë fituar kontrollin e pjesës më të madhe në perëndim të shtetit dhe kanë detyruar presidentin e Jemenit, Abdrabbuh Mansour Hadi të largohet nga ky vend.

Kombet e Bashkuara kanë njoftuar që më shumë se 10,000 persona, dy të tretat e tyre civilë kanë vdekur si pasojë e këtij konflikti dhe 55,000 tjerë janë palgosur në luftime.

XS
SM
MD
LG