Ndërlidhjet

Macron shtyn përpara idenë e "ushtrisë së vërtetë evropiane"


Presidenti francez, Emmanuel Macron.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka paralajmëruar se evropianët nuk mund të jenë të mbrojtur pa një “ushtri të vërtetë evropiane”, teksa afrohet ceremonia kryesore e përvjetorit të 100-të të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Në një vizitë në ish Frontin Perëndimor në Verdun, ai ka thënë se Rusia ka treguar që mund të jetë kërcënim dhe se Evropa duhet të jetë në gjendje “të mbrojë veten e vetme”.

Megjithatë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin do të jetë në mesin e pjesëmarrësve të ceremonisë që do të shënohet të dielën në Paris.

Presidenti francez edhe më parë ka propozuar krijimin e forcës për misione në kohë krizash.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel pati përkrahur idenë e një force intervenuese në muajin qershor, mirëpo ka deklaruar se ajo do të duhej të ishte pjesë e strukturës “për bashkëpunim ushtarak”.

Mbretëria e Bashkuar në anën tjetër ishte deklaruar në favor të kësaj force, mirëpo ka kundërshtuar ushtrinë evropiane, duke e arsyetuar me rrezikun potencial të krijimit të strukturës paralele me NATO-n.

Mirëpo presidenti Macron ka paralajmëruar evropianët se nuk mund të varen më nga Shtetet e Bashkuara në aspektin e mbrojtjes dhe ka përsëritur sërish atë deklaratë të martën, edhe në përgjigje të vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump për ta tërhequr SHBA-në nga Pakti Bërthamor i vitit 1987 që ka me Rusinë.

“Ne duhet të mbrojmë veten me gjithë respektin që kemi për Kinën, Rusinë apo edhe Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ai për radion francee, Europe 1.

“Kush është viktima kryesore? Evropa dhe siguria e saj. Unë dua të ndërtoj një dialog të vërtetë për sigurinë me Rusinë, shtet për të cilin kam respekt, mirëpo neve na duhet patjetër një Evropë që mund ta mbrojë veten pa pasur varësi nga Shtetet e Bashkuara”.

XS
SM
MD
LG