Ndërlidhjet

SHBA sanksionon 17 persona për rastin Khashoggi


Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin.

Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar se ka sanksionuar 17 sauditë për rolin e tyre në vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Kjo njëherësh është konsideruar si përgjigjja e parë konkrete nga administrata e Trumpit lidhur me vdekjen e Khashoggit një muaj më parë.

Në mesin e të sanksionuarve janë edhe Saud al-Qahtani, ish-ndihmësi i lartë i princit të kurorës, Mohammed bin Salman, si dhe konsulli i përgjithshëm saudit, Mohammed Alotaibi.

Sanksionet do të zbatohen sipas Aktit Magnitsky, i cili shënjestron abuzuesit e të drejtave të njeriut.

Ky njoftim është konsideruar i pazakonshëm për Uashingtonin, i cili rrallë sanksionon persona në Riad.

“Këta individë që kanë shënjestruar dhe kanë vrarë brutalisht një gazetar që ka punuar në Shtetet e Bashkuara duhet të përballen me pasoja për veprat e kryera”, ka thënë Sekretari i Thesarit, Steve Mnuchin përmes një deklarate.

Ai ka shtuar se Uashingtoni është duke vazhduar të tentojë të kuptojë se çfarë ka ndodhur, si dhe të mbajë përgjegjës ata që kanë vrarë Khashoggin.

“Qeveria e Arabisë Saudite duhet të marrë masa për t’i dhënë fund shënjestrimit të ndonjë disidenti apo gazetari”, ka thënë Mnuchin.

Ndërkohë Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Arabinë Saudite ka thënë te enjten se ka kërkuar dënim me vdekje për 5 nga 11 persona e dyshuar për vrasjen e Khashoggit, teksa Mbretëria synon të tejkalojë krizën më të madhe politike në gjeneratë.

Khashoggi, kritik i politikës saudite, është vrarë në konsullatën e Arabisë Saudite më 2 tetor me një injeksion vdekjeprurës, kanë thënë autoritetet saudite.

Ndërkohë në Turqi ka pasur raporte se trupi i gazetarit ka mundësi që tretur në acid.

XS
SM
MD
LG