Ndërlidhjet

Lëvizja Vetëvendosje fajëson pushtetin për mosanëtarësim të Kosovës në INTERPOL


Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka thënë në një konferencë për media se liderët që udhëheqin Kosovën janë fajtorët më të mëdhenj për mosanëtarësimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë.

"Hashim Thaçi pavarësisht situatës në terren vazhdon të vrapojë pas pazareve me Serbinë, e cila si asnjëherë më parë pas shpalljes së pavarësisë po e lufton shtetësinë dhe subjektivitetin e vendit”, ka thënë Sveçla.

Ai po ashtu ka theksuar se hapi i parë që dëshmon se palët janë të interesuara për një marrëveshje finale është pushimi i “luftës” në terren.

"Si është e mundur që shteti i Kosovës të përballet me këso vështirësish në terren a presidenti Thaçi të shkojë e të takohet pa asnjë kusht për Serbinë? Ky president po anashkalon çdo interes të vendit vetëm që personalisht të shpëtojë. Ai e ka zgjedhur rrugën e tij, por nuk duhet dhe nuk guxon ta marrë edhe Kosovën me vete. Ky njeri është zhvendosur kah pala serbe", është shprehur ai.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, e cila përfaqëson këtë parti, Albulena Haxhiu ka folur për konfuzionin që kanë shkaktuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli me siç është shprehur dobësinë e treguar karshi Serbisë ndaj shteteve që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

“Pazaret territoriale të Thaçit me Vuçiqin që kulmuan te takimi me Putinin, kanë shkaktuar konfuzion te shumë shtete që na e kanë njohur pavarësinë. Në këtë vit ka ndodhur një vetëkontestim i shtetësisë dhe pavarësisë sonë nëpërmjet aventurave absurde të presidentit të Kosovës. Gjithnjë e më pak të tjerët po na marrin seriozisht. Sepse, presidenti i vendit nuk po e merr shtetin tonë seriozisht”, është shprehur ajo.

Sipas këtij subjekti politik, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet që menjëherë t’ia marrin mandatin Thaçit në “aventurën e tij personale me Serbinë pa autorizim, pa legjitimitet dhe pa kompentencë”.

Kosova nuk ka arritur të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që po mbahet në Dubai.

XS
SM
MD
LG