Ndërlidhjet

Vuçiq bën thirrje për "paqe": Të shmangim konfrontimin në Kosovë


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në një takim me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Beograd se ka informacione për, siç u shpreh, "lëvizjen e trupave shqiptare nga bazat Belvedere dhe Vrello kah veriu i Kosovës", raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Vuçiq nuk dha detaje të tjera, pos që supozoi se po lëvizin "për të parandaluar çdo import të mallrave".

Komentet vijnë një ditë pasi Qeveria e Kosovës mori vendim për të rritur taksën nga 10% në 100% mbi prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Për këtë arsye, Vuçiq edhe thirri takimin me serbët e Kosovës.

Vuçiq po ashtu tha se nga baza Vrello (në afërsi të Prishtinës) në bazën Belvedere (në jug të Mitrovicës) "kanë shkuar kamionë dhe forca speciale të Kosovës".

Ai tha se nuk e di se çfarë po përgatitet dhe se asnjë pjesëtar i nacionalitetit serb nuk është thirrur në punë.

"Ne nuk i kemi lëvizur forcat tona policore dhe luftarake", tha Vuçiq.

Ai bëri thirrje për "paqe" dhe tha se "duhet bërë çmos për të shmangur konfrontimin".

Duke u thirrur në disa fotografi që kanë qarkulluar në mediat sociale, që supozohet se tregojnë djegien e disa mallrave serbe në qytetin Kaçanik të Kosovës, Vuçiq tha se ato janë të njëjta me "skenat e djegies së librave hebraikë në Gjermaninë naziste".

"Pra, bëhet fjalë për llojin më të keq të nazizmit", tha Vuçiq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Lexoni edhe këtë:

Haradinaj u shkruan ambasadorëve të BE-së: Taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjës nuk shfuqizohet

XS
SM
MD
LG