Ndërlidhjet

Prokuroria e Serbisë: Nuk kemi informacione për të arrestuarit në rastin Ivanoviq


Oliver Ivanoviq

Prokuroria për Krim të Organizuar e Serbisë tha se nuk ka asnjë informacion se të arrestuarit në veri të Mitrovicës kanë lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Të premten, policia e Kosovës arrestoi tre persona në veri të Mitrovicës, të dyshuar për vrasjen në fjalë.

"Prokuroria (në Beograd) ka njoftuar tashmë se ka vepruar ndaj të gjitha kërkesave për ndihmë të ndërsjellë ligjore, të cilat kanë përfshirë edhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve. Prokuroria nuk mund të deklarohet për identitetin e dëshmitarëve dhe as për detajet e kërkesave. Por, 'organet e përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë' kanë vepruar në mënyrë selektive ndaj kërkesave të kësaj prokurorie, andaj, deri më tani, nuk janë paraqitur të gjitha provat dhe informacionet e kërkuara", tha Prokuroria serbe për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën prej një muaji paraburgim dy të pandehurve me inicialet N.S. dhe M.R., të dyshuar për veprën penale “vrasje e rëndë”, ndërsa të pandehurit D.M. i është caktuar masa prej një muaji paraburgim për veprën “zbulim i fshetësisë zyrtare”.

Policia e Kosovës tha se është në kërkim edhe të një personi tjetër me inicialet M.R., i përkatësisë serbe, lidhur me vrasjen e Ivanoviqit.

Ivanoviq është vrarë më 16 janar, 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Ai ishte kryetar i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

XS
SM
MD
LG