Ndërlidhjet

Timmermans: Detyrim i çdo politikani dhe partie evropiane të luftojë anti-semitizmin


Zëvëndëpresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timermans
Zëvëndëpresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timermans

Bashkimi Evropian shfaqi shqetësimin, lidhur me rezultatet e një hulumtimi, i cili tregon se nëntë nga dhjetë hebrenjtë evropianë besojnë se antisemitizmi është rritur në pesë vitet e fundit.

Agjencia e BE-së për të Drejtat themelore deklaroi se 85 përqind e të anketuarve besojnë se antisemitizmi është një problem madhor në vendin e tyre, ndërkaq 38 përqind mendojnë se ky problem po largohet.

“Sa herë që bashkësitë kundërshtojnë njëra-tjetrën, sa herë që politika e identiteti gjenden përsëri në lojë, atëherë viktimat e para janë gjithmonë hebrenj” tha zëvëndëspresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timermans, transmeton AFP.

Në vitet 1930, antisemitizmi i sponsorizuar nga shteti në Gjermaninë naziste hapi rrugën për Holokaustin në të cilin u vranë gjashtë milionë hebrenj.

Timmermans, ish ministër holandez i Punëve të Jashtme, ka thënë se Evropa ka vuajtur nga shumë sëmundje në shekullin e 20-të, por “ajo që ka mbetur e pashërueshme është antisemitizmi”.

Ai tha se është detyrë e çdo politikani evropian dhe çdo partie për të luftuar kundër antisemitizmit, në nivel kombëtar apo lokal, duke apeluar për trajnime më të mira për oficerët e policisë dhe mësuesit në vendet anëtare për të përmirësuar sigurinë në mënyrë që të parandalohet një barrë e pabarabartë mbi supet e komuniteti hebre.

Ai gjithashtu i bëri thirrje kryeministrit hungarez, Viktor Orban për të ndaluar përdorimin e fjalëve dhe fushatave që nxisin antisemitizmin.

Timmermans kujtoi tabelën e vitit 2017 në fushatën e qeverisë së Orbanit kundër miliarderit amerikan, George Soros, me origjinë hebreje nga Hungaria. Universiteti i Evropës Qendrore i financuar nga Sorosi, njoftoi javën e kaluar, se ai ishte i detyruar të zhvendos programet më prestigjioze të studimit në Vjenë, pas një beteje të gjatë ligjore me qeverinë Orbanit.

Hulumtimi thekson se 89 për qind e të anketuarve mendonin se anti-semitizmi është rritur në vendin e tyre gjatë pesë viteve të fundit, dhe 90 për qind thanë se gjendja është veçanërisht e keqe në internet. Shtatëdhjetë për qind thanë se gjetën anti-semitizëm në media dhe diskutim politik. Gati 30 për qind thanë se ishin të shqetësuar. Megjithatë, 80 për qind nuk raportuan incidente serioze për policinë apo autoritetet e tjera. Hulumtimi i kryer në maj dhe qershor ka përfshirë 16,395 hebrenj në 12 vendet e BE-së: Austria, Belgjika, Danimarka, Franca, Gjermania, Hungaria, Italia, Hollanda, Polonia, Spanja, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar

XS
SM
MD
LG