Ndërlidhjet

Vazhdon protesta e studentëve në Tiranë


Protestat në Tiranë
Protestat në Tiranë

Mijëra studentë nga e gjithë Shqipëria po protestojnë në ditën e shtatë pa nderprerë, duke këmbëngulur në përmbushje të plotë të kërkesave të tyre.

Studentët i kanë vendosur ultimatum Qeverisë së Shqipërisë për plotësim të kërkesave deri në orën 16:00 të ditës së sotme. Në të kundërtën, ata thonë se “protesta do të përshkallëzohet” dhe ata nga godina e Ministrisë së Arsimit, protestat do t’i zhvendosin para Kryeministrisë.

Studentët kanë marshuar në kryeqytetin shqiptar, si dhe në vendet tjera të Shqipërisë, edhe pas thirrjeve të institucioneve për të dialoguar.

Studentëve të Universiteteve të Shqipërisë u janë bashkuar edhe disa gjimnazistë të cilët kanë bojkotuar mësimin në simbol solidariteti me studentët.

Përmes këtyre protestave, studentët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre që lidhen me koston e lartë të studimeve në Universitetin publik dhe cilësinë e arsimit.

Lexoni edhe këtë:

Një javë revoltë studentore

Pas disa përpjekjesh për të zbutur tensionet, përfshirë premtimin për të ulur tarifat e provimeve të mbetura, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të hënën është lidhur drejtpërdrejt në rrjetin social Facebook për të biseduar me studentët përmes pyetjeve që ata i adresojnë për qeverinë.

Ai u zotua për përmbushje kërkesash, por tha se duhet patjetër që studentët, të cilët protestat po i organizojnë në mënyrë spontane, të kenë përfaqësi.

“Dua të komunikoj dhe të përpiqem të shpjegoj pse dialogu është i domosdoshëm”, tha kryeministri.

Studentët pjesëmarrës në protestë kanë refuzuar çdo lloj negociate me qeverinë duke insistuar në plotësimin e kërkesave të tyre.

Protestuesit i kanë identifikuar 8 kërkesa që përfshijnë përgjysmim të tarifave dhe përmirësimit të cilësisë të arsimit publik, përmirësimin e kushteve të konvikteve, përfaqësimin e tyre në borde administrative dhe mbështetje financiare të aktiviteteve dhe kërkimeve shkencore.

Si përgjigje ndaj protestës, të enjten, Ministria e Arsimit u pajtua të heqë pagesat për provimet e mbartura.

Tarifat e shkollimit në universitetin shtetëror të Shqipërisë konsiderohen të jenë ndër më të lartat në rajon dhe Evropë, sa i përket shkollimit publik.

Shqipëria është një nga vendet më të varfra në Evropë me GDP prej 4,868 dollarë për koke banori, ndërkohë që sipas Bankës Botërore në vitin 2017 2.49% të GDP është shpenzuar ne arsim, që është nën mesataren evropiane.

XS
SM
MD
LG