Ndërlidhjet

Haradinaj: Askush të mos fshihet dhe të mos pengojë punën e Gjykatës Speciale


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje ish-pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mos fshihen, të mos pengojnë dhe të mos i shmangen drejtësisë nëse pranojnë ftesa nga Prokuroria Speciale e Kosovës me seli në Hagë.

”Askush nuk ka të drejtë ta turpërojë Kosovën dhe të fshihet, të pengojë apo t’i shmanget drejtësisë. Lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe e shenjtë dhe kjo do të dëshmohet fuqishëm gjithnjë e kurdoherë” ka thënë Haradinaj përmes një postimi në Facebook.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës do t'iu qëndrojë afër të gjithë atyre që përballen me Specialen, përmes ndihmës së nevojshme për mbrojtje juridike.

Deri më tani, Prokuroria Speciale ka thirrur për intervistim, Sami Lushtakun, Nazif Mehmetin, Rrustem Mustafën dhe Sokol Dobrunën..

Dhomat e Specializuara të Kosovës janë funksionalizuar plotësisht që nga 5 korriku i vitit 2017, kur ishte miratuar dokumenti për zhvillimin e procedurës penale, Rregullorja e Procedurave dhe Provave.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar punojnë për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave tjera penale, në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011.

Në atë raport është thënë që gjoja se krimet i kanë kryer pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë periudhës 1998 deri në vitin 2000.

Në Dhomat e Specializuara dhe në Prokurori punojnë 150 persona me prejardhje nga e gjithë bota. Gjykatësit, të cilët janë 20, vijnë nga 14 vende.

XS
SM
MD
LG