Ndërlidhjet

"Grekët e Pavarur”, kundër marrëveshjes me Maqedoninë


Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Panos Kammenos.
Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Panos Kammenos.

Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Panos Kammenos, ka kërcënuar me dorëheqje dhe largim nga Qeveria të partisë së tij “Grekët e Pavarur”, nëse Maqedonia vazhdon të zbatojë marrëveshjen për emrin transmeton agjencia e lajmeve MIA.

“Nëse Marrëveshja e Prespës vazhdon të kalojë në IRJM, unë do të dorëhiqem nga dikasteri i Mbrojtjes, duke marrë kështu përgjegjësinë, do të dorëhiqem nga Qeveria”, ka deklaruar Kammenos.

Reagimi i tij pason deklaratat e kryeministrit Zoran Zaev se Marrëveshja e Prespës garanton identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase, dhe se askush nuk do të mund t’ua mohojë maqedonasve përcaktimin e tyre etnik.

Komentet Khammenos i ka bërë gjatë një vizite në një kazermë të ushtarëve grekë, ndërsa ka përsëritur se “vijat e kuqe”, asnjëherë nuk mund të kapërcehen.

“Duhet ta kuptoni se ekzistojnë disa çështje që paraqesin ‘vija të kuqe’ për ne dhe unë si drejtues politik i forcave të armatosura, dhe për shkak të qëndrimit tim publik, nuk mund të pranoj që të mbetem ministër i Mbrojtjes kombëtare dhe në të njëjtën kohë të nënshkruaj tradhtinë e termit ‘Maqedoni’”, ka thënë Kammenos.

Nga mesi i janarit 2019, Parlamenti i Maqedonisë pritet t’i votojë ndryshimet kushtetuese, me çka edhe mbyllet zbatimi i Marrëveshjes për emrin, ndërsa ky vend në të ardhmen do të quhet “Maqedonia e Veriut”.

Por, marrëveshja do të jetë e vlefshme vetëm nëse ratifikohet edhe nga Parlamenti i Greqisë.

Marrëveshja zgjidh kontestin 27-vjeçar të emrit mes dy vendeve, me çka zhbllokohet edhe procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

XS
SM
MD
LG