Ndërlidhjet

Shtetet e BE-së në KS të OKB-së: Ushtria e drejtë sovrane e Kosovës


Flamuri i BE-së dhe i Kosovës, fotografi nga arkivi.

Shtetet antare të Bashkimit Evropian i kanë bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë, që procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës.

Përmes një deklarate të përbashkët, shtetet e BE-së, në Këshillin e Sigurimit, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Polonia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë thënë se nisja e transformimit të FSK-së, përmes miratimit të tri ligjeve nga Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor, është një “e drejtë sovrane” e Kosovës.

“Nisja e procesit të tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës është e drejtë sovrane e Kosovës. Ne kemi parasysh angazhimin e Kosovës që gradualisht të trasformojë forcën e saj të sigurisë, në koordinim të ngushtë me NATO-n dhe partnerët. I bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që transformimi i FSK-së gjatë 10 vjetëve të ardhshme të jetë një proces transparent dhe gjithpërfshirës, duke i përfshirë të gjitha komunitetet dhe të shmangë ndonjë ndikim të dëmshmën në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në deklaratë.

Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor miratoi tri ligje, të cilat thuhet se do t’i japin kapacitete ushtarake Forcës së Sigurisë së Kosovës. Transformimi i FSK-së pritet të zgjasë disa vite.

Po ashtu, këto shtete të Këshillit kërkojnë nga Prishtina dhe Beogradi që të shfaqin përmbajtje “dhe të ulin tensionet si dhe të krijojnë kushte për rinisjen sa më shpejt të dialogut që ndërmjetësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së”.

“Ne, anëtarët e Këshillit duam të nënvizojmë se një marrëveshje ligjërisht obliguese e normalizimit është thelbësore, në mënyrë që Serbia dhe Kosova të mund të avancojnë në rrugën e tyre evropiane. Një marrëveshje e obligueshme, që adreson të gjitha çështjet duhet të jetë prioriteti kyç”, thuhet në deklaratë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. BE-ja kërkon nga të dyja palët që në fund të procesit të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila veç tjerash, thuhet se do t’ua hapte rrugën drejt integrimeve evropiane të dyja shteteve.

XS
SM
MD
LG