Ndërlidhjet

Trump parasheh mbyllje të gjatë të Qeverisë amerikane


Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar me mbyllje “shumë të gjatë” të Qeverisë në rast se demokratët nuk financojnë premtimin e tij për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën.

Në një seri të postimeve në rrjetin social, Twitter, Trump ka kërkuar 5 miliardë dollarë, shumë e cila është miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve, mirëpo pritet të dështojë në Senat.

Në rast nuk arrihet asnjë marrëveshje, disa pjesë të Qeverisë amerikane do të mbyllen në mesnatën e së premtes.

Një mbyllje e tillë e pjesshme do të shënonte herën e tretë që ndodh një gjë e tillë në agjencitë federale më 2018.

Përmes një postimi të premten mbrëma në Twitter, Trump ka akuzuar demokratët për siç ka thënë “tentim të zhvlerësimit të konceptit të murit, duke e quajtur të modelit të vjetër”.

“Është fakt që asgjë tjetër nuk do të funksionojë dhe se ka qenë fakt i vërtetë për mijëra vjet. Është sikurse rrotë, nuk ka asgjë më të mirë”, ka thënë Trump.

“Nëse demokratët votojnë kundër, do të ketë mbyllje që do të zgjasë një kohë të gjatë”, është shprehur ai.

Përveç tjerash, Trump ka shtyrë edhe pushimet e tij në Florida edhe sipas ndihmësve të tij, ai i ka bërë thirrje liderit të repulikanëve në Senat, Mitch McConnell për të përdorur të ashtuquajturën “mundësi bërthamore”.

E ashtuquajtura “mundësi bërthamore” do të lejonte miratimin e buxhetit me një shumicë të thjeshtë prej 51 votave, në vend të 60 votave të kërkuara.

XS
SM
MD
LG