Ndërlidhjet

Macron i nis letër Thaçit


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti francez, Emmanuel Macron e ka falënderuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Në ceremoninë e mbajtur në Paris më 11 nëntor të këtij viti, Thaçi ka qenë pjesëmarrës i kësaj ceremonie në mesin e 97 krerëve të tjerë botërorë.

Në letrën e nisur drejt Thaçit, Macron ka thënë se ceremonia në fjalë ka qenë mundësi për të riafirmuar angazhimin për paqen.

“Ajo (ceremonia) na dha mundësi ne politikanëve, të vetëdijshëm siç jemi rreth mësimeve të së kaluarës dhe kompleksitetit të sfidave me të cilat përballemi, për të riafirmuar angazhimin për paqen dhe gatishmërinë për forcimin e dialogut dhe veprimit kolektiv”, është cituar të ketë thënë Macron.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati deklaruar pas kësaj ceremonie se është fyer nga trajtimi që i është bërë në Francë.

Gazetat kanë publikuar fotografi të liderëve duke shikuar ceremonitë, përfshirë Vuçiqin dhe Thaçin.

Thaçi ka qenë i ulur pas udhëheqësve të Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe SHBA-së, ndërsa Vuçiq ka qenë i ulur në anën përballë.

XS
SM
MD
LG