Ndërlidhjet

Trump mbron sërish vendimin e tij për tërheqjen e trupave nga Siria


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka mbrojtur sërish vendimin e tij për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, duke thënë se trupat fillimisht do të qëndronin në këtë shtet vetëm për tre muaj, por qëndruan atje për vite me radhë.

“Në Siri, fillimisht ne kishim planifikuar që të qëndronim për tre muaj dhe kjo ishte para shtatë vjetësh”, ka shkruar Trump në Twitter.

“Ne nuk u larguam. Kur unë u bëra president, IS-i ishte bërë i egër”, ka shkruar Trump.

“Tani IS-i është mposhtur gjerësisht dhe vendet tjera lokale, duke përfshirë edhe Turqinë, duhet të jenë në gjendje që të mposhtin militantët që kanë mbetur. Ne po kthehemi në shtëpi”, ka shkruar presidenti Trump.

Edhe pse Trump ka thënë se trupat amerikane kanë qenë në Siri për shtatë vjet, SHBA-ja ka dërguar trupat në këtë shtet më 2015.

Siria është në luftë civile që prej vitit 2011, ku Rusia dhe Irani mbështesin presidentin sirian, Bashar al-Assad, ndërkaq Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë mbështetur grupe të ndryshme rebele.

Presidenti Trump po ashtu ka konfirmuar se i dërguari i SHBA-së në koalicionin ndërkombëtar për luftën kundër IS-it ka dhënë dorëheqje. Dorëheqja e tij është raportuar se ka ndodhur si shenjë proteste ndaj vendimit të Trumpit për të tërhequr trupat nga Siria.

I dërguari Brett McGruk, që ishte emëruar në këtë pozitë nga ish-presidenti Barack Obama ka dorëzuar dorëheqjen e tij më 21 dhjetor.

Trump e konfirmoi dorëheqjen e McGruk përmes një postimi në Twitter më 22 dhjetor, duke thënë se ai “do të duhej të largohej nga kjo pozitë në muajin shkurt, por ai ka dhënë dorëheqje”.

Më herët gjatë këtij muaji, presidenti Trump njoftoi se 2 mijë trupat amerikane do të tërhiqen nga Siria.

XS
SM
MD
LG